Akne Vulgaris
Akne vulgaris është patologji kronike e adoleshentëve dhe adultëve të rinj që shfaqet si pasojë e prodhimit të tepërt të yndyrës dhe lokalizohet kryesisht në fytyrë, pjesën e sipërme të gjoksit dhe shpinë.
Cilët janë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e aknes ?
Akne kontrollohet nga faktorë të shumtë ndër të cilët mund të renditen:
-Trashëgimia: Nëse të dy prindërit kanë akne, atëherë probabiliteti që fëmija i tyre të ketë akne në pubertet është 50%.
–Prodhimi i shtuar i yndyrës i ndikuar nga stimulimi i hormoneve androgjenike(mashkullore). Gjëndrat e yndyrës janë të vogla para pubertetit. Në pubertet nën influencën e androgjeneve(hormoneve mashkullore), gjëndrat yndyrore rriten në madhësi dhe rrisin prodhimin e yndyrës.
-Propioniobacterium Acne .
Cilat janë format klinike të aknes ?
Ne varësi të elementeve klinike dallojmë tre forma klinike të aknes :
-Akne e gradës së parë,ose akne komedonike (me pika të zeza dhe të bardha),
-Akne e gradës se dytë ose akne papulopustuloza : krahas komedoneve ose pikave të zeza në këtë formë janë të pranishme dhe puqra të kuqe me ose pa qelb
-Akne e gradës së tretë ose akne konglobata me papula, pustula dhe noduse të dhimbshme.
Si trajtohen aknet ?
Trajtimi i Aknes vulgaris shkurton kohën e zgjatjes së sëmundjes, zvogëlon ashpërsinë e sajë dhe eviton mbetjen e shenjave. Trajtimi i aknes bëhet në varësi të gradave të sajë.
Për trajtimn e aknes së gradës së parë përdorim retinoidet lokale
(Tretinoinë në formë kremi, xhel, solucion) ose Benzyl Peroxydi.
Trajtimi i aknes së gradës së dytë mund të bëhet duke perdorur retinoidet lokale ose Benzoyl Perokside të shoqëruar me përdorimin e antibiotikëve lokalë. Në antibiotikët lokalë përdorim Clindamycinën, Erythromycinën. I këshillueshëm është edhe përdorimi i acidit azelaik.
Në aknen e gradës së tretë medikamente të linjës së parë janë: Retinoidet lokale dhe antibiotikët oralë. Antibiotikët oralë (që jepen nga goja) që përdoren janë: Tetracyclina, Doxacyclina, Minocyclina, Erythromycina. Antibiotikët përdoren për një kohë të gjatë, minimumi për 8 javë dhe maksimumi për 4 muaj. Përdoren gjithmonë të kombinuar me retinoidet lokale. Gjithashtu në këtë gradë të aknes në format e acaruara dhe në rastet kur mjekimet e dhëna nuk kanë dhënë përmirësimin e pritur mund të përdorim kontraceptivët oralë tek femrat ose izotretinoinën orale si te femrat dhe te meshkujt.